Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ka shprehur mirënjohjen e saj për ekipet shqiptare të shpëtimit, të cilat bënë të mundur shpëtimin e pesë turistëve gjermanë në dy operacione të zhvilluara ditët e fundit në jug të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada falënderoi Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, forcat lokale të shpëtimit dhe vullnetarët e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik për profesionalizmin dhe reagimin e menjëhershëm në terrene të vështira.

"Falë reagimit të tyre të shpejtë dhe angazhimit të palodhur, turistët gjermanë u shpëtuan me sukses, pavarësisht terrenit të vështirë, errësirës dhe temperaturave të larta. Ju falënderojmë për profesionalizmin dhe guximin tuaj!", thuhet në mesazhin e Ambasadës.

Vlerësimi vjen pas dy operacioneve të rëndësishme të kërkim-shpëtimit. Më i fundit u zhvillua në Malin e Çikës, ku tre turistë gjermanë mbetën të bllokuar mes shkëmbinjve pasi humbën orientimin. Për shkak të terrenit të vështirë, u desh ndërhyrja e një helikopteri për evakuimin e tyre.

Pak ditë më parë, edhe dy turistë të tjerë gjermanë u shpëtuan në Gadishullin e Karaburunit, pas një operacioni disaorësh të zhvilluar gjatë natës.

Reagimi i Ambasadës Gjermane konsiderohet një vlerësim për punën e strukturave shqiptare të emergjencës, të cilat në kulmin e sezonit turistik po përballen me një numër në rritje operacionesh shpëtimi në zonat malore dhe bregdetare.