Aktivisti Edison Lika ka deklaruar gjatë protestës kundër qeverisë se zhvillimet e fundit në Poliçan tregojnë, sipas tij, se Partia Socialiste ka humbur mbështetjen edhe të votuesve të saj.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, Lika pretendoi se kryetari lokal i PS-së ka dhënë dorëheqjen dhe se shumë anëtarë kanë djegur teserat e partisë.

“Qytetarët e Poliçanit kanë dalë në shesh dhe i kanë thënë se jo vetëm s’ke 800 mijë vota, por nuk ke as socialistët. Kryetari i PS atje ka dhënë dorëheqjen, mijëra anëtarë kanë djegur teserat e PS-së”, u shpreh ai.

Aktivisti u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë vendin që t'i bashkohen protestës kundër qeverisë.

“Iu themi qytetarëve të Poliçanit dhe Shqipërisë të bashkohen në shesh kundër regjimit që po shpopullon Shqipërinë”, deklaroi Lika.

Në fund të fjalës së tij, ai iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke vënë në dyshim mbështetjen elektorale që, sipas tij, gëzon mazhoranca.

“A je i sigurt se i ke 800 mijë vota? As 80 mijë s’i ke më. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe po djegin teserat, po i vjen fundi regjimit tënd”, tha Lika.