Dy tërmete janë regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure në qarkun e Elbasanit.

Sipas të dhënave të Qendrës Europiane të Sizmologjisë (EMSC), lëkundja më e fortë, me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter, është regjistruar në orën 07:33, me epiqendër rreth 12 kilometra në juglindje të Elbasanit dhe 44 kilometra në juglindje të Tiranës.

Tërmeti kishte një thellësi prej 5 kilometrash, ndërsa lëkundjet u ndjenë kryesisht në zonat e Gjinarit dhe Shushicës.

Pak më vonë u regjistrua edhe një tërmet i dytë me magnitudë 2.0 të shkallës Rihter.

Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen persona të lënduar apo dëme materiale, ndërsa lëkundjet kanë shkaktuar shqetësim dhe panik te banorët e zonës.