Projekti i Aeroportit të Vlorës rrezikon të marrë një kthesë të fortë, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare, për shkak të mosrespektimit të afateve të ndërtimit.
Sipas të dhënave, punimet duhej të përfundonin në shkurt 2026, ndërsa kontrata parashikonte edhe një periudhë shtesë prej 90 ditësh për përmbylljen e projektit. Megjithatë, edhe pas skadimit të këtij afati, aeroporti nuk është bërë operacional.
Një nga arsyet kryesore të situatës janë mosmarrëveshjet mes dy kompanive koncesionare, "MACBO", e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, dhe "2A Group", e drejtuar nga Valon Ademni.
Për të zgjidhur ngërçin, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u kishte lënë palëve një afat për të adresuar konfliktet dhe për të vijuar punimet. Por, pavarësisht ultimatumit, kompanitë nuk arritën të gjenin një marrëveshje.
Në bazë të kontratës koncesionare, Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të ndërpresë marrëveshjen në rast të mosrespektimit të detyrimeve. Konkretisht, neni 15.4 parashikon zgjidhjen e kontratës kur aeroporti nuk vihet në operim brenda 90 ditëve nga data e planifikuar.
Nëse procedurat përfundojnë me anulimin e kontratës, projekti i Aeroportit të Vlorës do të përballet me një fazë të re ligjore dhe administrative, duke krijuar pasiguri për fatin e një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore në vend.






