Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tragjike e ndodhur në Pogradec, ku humbi jetën Kristaq Çulaku, rreth 65 vjeç, pasi u plagos aksidentalisht me një mjet prerës tip fresibël teksa kryente punime në banesën e tij.
Fqinjët kanë rrëfyer momentet e fundit të jetës së 65-vjeçarit, duke treguar se ai ishte parë vetëm pak minuta para aksidentit.
Një prej banoreve tha se e kishte takuar atë paraditen e së martës dhe se ai i kishte treguar se do të shkonte në Korçë, por më pas ishte kthyer në shtëpi për të vazhduar punët.
“Erdhi këtu, pa lepujt dhe pastaj mori trokonë. U çuditëm kur dëgjuam që po thërrisnin. Erdhëm dhe e gjetëm të mbaruar. Ambulanca erdhi pas gjysmë ore”, rrëfeu ajo.
Një tjetër fqinje kujtoi bisedën e fundit me të, ku ai i kishte kërkuar një vazo të vogël për të mbjellë borzilok dhe i kishte premtuar se do t’i mbushte bombolën e gazit pasi të kthehej nga Korça.
“Kur vajta, e thirra: ‘Kiço, Kiço’. I hodha ujë, por nuk u përmend. Më pa në sy dhe vetëm rënkonte. Thirra njerëzit për ndihmë, por nuk guxoja ta prekja nga frika”, tregoi ajo.
Sipas banorëve të zonës, Kristaq Çulaku jetonte i vetëm. Dy djemtë e tij ndodhen në Londër, ndërsa bashkëshortja jeton në Greqi.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një aksident gjatë punës në banesë.





