Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka propozuar zgjerimin e programit kombëtar të Check-Up, duke hequr kufirin e sipërm të moshës për përfitimin e kontrollit bazë shëndetësor falas.
Nisma, e cila pritet të hyjë në fuqi nga muaji shtator, pasi të miratohet nga Këshilli i Ministrave, parashikon që çdo qytetar mbi moshën 35 vjeç të ketë të drejtë të kryejë kontrollin shëndetësor falas, pavarësisht moshës.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë një takimi me të moshuarit në Qendrën Sociale Ditore në Pogradec.
"Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Me ndryshimin e propozuar, edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer Check-Up falas, sepse kujdesi për shëndetin nuk ka kufi moshe", u shpreh ministrja.
Sala bëri të ditur gjithashtu se Ministria po punon për ngritjen, për herë të parë në Shqipëri, të shërbimit të Geriatrisë, i cili do të ofrojë kujdes të specializuar për të moshuarit. Ky shërbim do të nisë fillimisht në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", për t'u shtrirë më pas edhe në rajone të tjera të vendit.
Një tjetër risi është krijimi i Linjës së Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim falas që do të ofrojë informacion, orientim dhe mbështetje për aksesin në shërbimet shëndetësore, sociale dhe shërbime të tjera publike.
"Për herë të parë po krijojmë një linjë të dedikuar këshillimi për të moshuarit, ku ata do të mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje për çdo shërbim shëndetësor apo social për të cilin kanë nevojë", deklaroi ministrja.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, linja e re e këshillimit do të jetë e aksesueshme falas në numrin 0800 4042.
Gjatë takimit, ministrja njoftoi edhe nisjen e kontrolleve administrative në spitalet e vendit, me fokus respektimin e orarit të punës dhe forcimin e menaxhimit të strukturave shëndetësore.





