Një 54-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ka ndezur një zjarr që shkaktoi dëme të mëdha mjedisore dhe materiale në zonën e Qafës së Vidhit, në Mallakastër.
Sipas Policisë, pas njoftimit për zjarrin që kishte përfshirë dhjetëra pemë ulliri, shërbimet policore dhe forcat zjarrfikëse janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes për të vënë flakët nën kontroll dhe për të identifikuar autorin.
Gjatë kontrolleve në zonë, efektivët kanë konstatuar pranë vatrës së zjarrit shtetasin A. Xh., 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur flakët.
Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar rreth 400 pemë ulliri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, 54-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.




