Apeli i Posaçëm ka rrëzuar ankimin e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës, duke lënë në fuqi sekuestron ndaj 25 pasurive të tyre.
Me këtë vendim, shkalla e dytë e gjyqësorit konfirmoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme, e cila kishte vendosur bllokimin e pasurive në kuadër të hetimeve për dosjen "Partizani".
Më herët, edhe Gjykata e Lartë ishte shprehur për këtë çështje, duke lënë në fuqi masën e sekuestros për të njëjtat pasuri.
Sipas vendimit të gjykatës, nën sekuestro janë vendosur gjashtë llogari bankare, katër njësi tregtare, një truall, një vilë dupleks, disa apartamente, një vilë në Gjirin e Lalzit, si dhe pasuri të tjera.
Hetimet për dosjen "Partizani" vijojnë, ndërsa masa e sekuestros ndaj këtyre pasurive mbetet në fuqi deri në një vendimmarrje tjetër të organeve të drejtësisë.





