Emërimi i Alban Mësonjësit në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë ka rikthyer në vëmendje dokumente dhe materiale që kanë qarkulluar publikisht ndër vite dhe që kanë ngritur pikëpyetje mbi figurën e tij.
Në dokumentacionin që është bërë publik në të kaluarën, përfshirë diagrame dhe materiale që lidhen me dosjen ndërkombëtare "Panama Papers", emri i Mësonjësit është përmendur në lidhje me kompani offshore. Këto materiale kanë qenë objekt diskutimi publik edhe gjatë procesit të rivlerësimit të ish-prokurores Ornela Rrumbullaku.

Megjithatë, pavarësisht debateve që kanë shoqëruar këto publikime, Mësonjësi është emëruar në një nga funksionet më të rëndësishme administrative të Ministrisë së Drejtësisë, institucion që ka një rol kyç në reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit europian.
Pikërisht për këtë arsye, ekspertë të qeverisjes së mirë kanë theksuar vazhdimisht se funksionet e nivelit të lartë duhet të shoqërohen me transparencë maksimale mbi procesin e përzgjedhjes dhe verifikimit të figurës.
Deri në këtë moment nuk ka një reagim publik nga Ministria e Drejtësisë apo nga vetë Alban Mësonjësi lidhur me këto çështje.
Në një shtet që synon standardet europiane të sundimit të ligjit, transparenca mbi figurën e zyrtarëve të lartë është po aq e rëndësishme sa edhe respektimi i prezumimit të pafajësisë. Për këtë arsye, një sqarim zyrtar mbi dokumentet që kanë qarkulluar publikisht dhe mbi procesin e verifikimit të kryer përpara emërimit do të shërbente për të shmangur çdo dyshim dhe për të rritur besimin e publikut.




