Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të marte në aksin kombëtar pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, ku janë përfshirë katër automjete, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale si pasojë e përplasjes.

Shkaqet dhe dinamika e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar.

Për disa minuta, aksidenti shkaktoi vështirësi në qarkullimin e automjeteve në hyrje të Elbasanit, ndërsa trafiku u normalizua pas ndërhyrjes së policisë.