Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Portin e Durrësit, ku një drejtues kamioni ka mbetur i plagosur rëndë pasi u godit nga një tjetër mjet i tonazhit të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri është një shtetas me origjinë nga Kosova, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej jashtë kamionit të tij, kur u përplas papritur nga një tjetër kamion.
Si pasojë e goditjes, ai ka pësuar plagë të rënda dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Burime paraprake bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Autoritetet pritet të sqarojnë dinamikën e ngjarjes pas përfundimit të hetimeve.





