Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, ku, sipas organizatës, gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, u dhunua nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.

Në deklaratën e saj, AGSH thotë se nga pamjet filmike dhe informacionet e mbledhura në terren rezulton se gazetari është goditur fizikisht në momentin kur po filmonte shoqërimin e një protestuesi.

"Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë dhunën e ushtruar nga efektivët e Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të Ora News, Edison Vatnikaj. Ky është një akt i rëndë dhe i papranueshëm, që përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t'u informuar", thuhet në reagimin e AGSH-së.

Organizata thekson se gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të raportojnë ngjarje me interes publik pa u përballur me dhunë, intimidim apo pengesa nga autoritetet.

Sipas AGSH-së, incidenti ndaj Vatnikajt nuk ishte i vetmi. Gjatë mbulimit të protestës, edhe ekipe të tjera mediatike janë përballur me pengesa dhe ndërhyrje nga efektivët e Policisë së Shtetit, duke u kufizuar në ushtrimin e detyrës.

Asociacioni vlerëson se ngjarje të tilla krijojnë një klimë frikësimi ndaj gazetarëve dhe përbëjnë një përshkallëzim shqetësues të presionit mbi median, pavarësisht standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e tyre.

Në përfundim të reagimit, AGSH i ka bërë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të nisë menjëherë hetimet për incidentin dhe të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore efektivët e përfshirë në ushtrimin e dhunës ndaj gazetarit.