Ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, ka ndezur atmosferën mbrëmjen e së shtunës në Ohër, ku dhuroi një koncert spektakolar përpara mijëra fansave në një nga eventet më të mëdha muzikore të kësaj vere.

Artistja interpretoi disa prej hiteve të saj më të njohura, të cilat kanë grumbulluar qindra miliona dëgjime në platformat muzikore, duke krijuar një atmosferë elektrizuese gjatë gjithë performancës.

Përveç muzikës, Rita Ora emocionoi publikun edhe me fjalët e saj. Gjatë koncertit, ajo iu drejtua disa herë fansave në gjuhën shqipe dhe ndau kujtime nga fëmijëria, duke treguar se Ohrin e kishte vizituar që në moshë të vogël së bashku me familjen.

"Jam rritur në Londër, por zemra ime do të jetë gjithmonë në këtë pjesë të botës", u shpreh këngëtarja mes duartrokitjeve të publikut.

Në një tjetër moment të koncertit, Rita përshëndeti shqiptarët e pranishëm dhe shprehu krenarinë për prejardhjen e saj.

"Jam shumë krenare që jam nga Kosova, Shqipëria dhe dua që të gjithë të jemi krenarë për atë që jemi dhe nga vijmë", deklaroi ajo, duke marrë ovacione nga të pranishmit.

Performanca e artistes u prit me entuziazëm të madh dhe u shoqërua me këngë, brohoritje dhe duartrokitje, duke konfirmuar edhe një herë popullaritetin e saj në rajon.

Koncerti në Ohër u kthye në një mbrëmje të paharrueshme për fansat, ndërsa mesazhi i Rita Orës për identitetin dhe krenarinë shqiptare u bë një nga momentet më të komentuara të eventit.